Një varg shpërthimesh kanë ndodhur në tri hotele luksoze dhe tri kisha të Sri Lankës të dielën, duke lënë të vdekur së paku 138 njerëz dhe duke plagosur qindra të tjerë në kohën kur besimtarët po merrnin pjesë në meshën e pashkëve.
Shpërthimet e para u raportuan në Kishën “Saint Anthony” në Kolombo dhe në kishën “Saint Sebanstian” në qytetin e Negombos, pranë kryeqytetit Sri Jayawardenepura Kotte.
Drejtoresha e spitalit kombëtar të Kolombos, Samindi Samrakoon, tha se deri tash janë regjistruar 280 njerëz të plagosur. 160 prej tyre janë pranuar në këtë spital të dielën në mëngjes.
Pak kohë pas shpërthimit në kisha, policia konfirmoi se tri hotele gjithashtu janë goditur nga shpërthimet. Shpërthime ka pasur edhe në një kishë tjetër në qytetin lindor të Batticaloas.
Një zyrtar i spitalit të këtij qyteti njoftoi se më shumë se 300 njerëz janë pranuar me lëndime nga shpërthimet në këtë kishë.
Harsha de Silva, deputet i Sri Lankës, tha se ka qenë në njërën nga kishat dhe në një hotel dhe ka parë skena të tmerrshme. “Pashë pjesë të trupave të njerëzve që ishin shpërndarë gjithandej. Ekipet e emergjencës ndodhen në të gjitha vendet e shpërthimeve dhe po ndihmojnë me të gjitha kapacitetet e tyre”, ka shkruar ai në Twitter.
Shumica e popullsisë së Sri Lankës i takojnë besimit budist, ndërsa vetëm 6 për qind e tyre i takojnë besimit katolik, shkruan “The Guardian”.