Donald Trump tha përmes një postimi në Twitter se “dukej një ide e mirë” që portreti i tij të gdhendej në malin Rushmore.
Presidenti e quajti lajm të rremë një artikull të “Nju Jork Times” ku pretendohet se një punonjës i Shtëpisë së Bardhë kishte kontaktuar me Guvernatoren e Dakotës së Jugut, ku ndodhet mali, për të diskutuar idenë. “Ky është një lajm i rremë. Nuk e kam dhënë kurrë këtë ide, megjithëse, bazuar në aq shumë gjëra që janë arritur gjatë 3 viteve e gjysmë, ndoshta më shumë se në çdo mandat tjetër presidencial, mua më duket një ide e mirë!”, shkroi presidenti.
Sipas “Nju Jork Times”, që citon një zyrtar të Partisë Republikane, kërkesa nga pjesëtari i stafit të Trump është bërë vitin e kaluar. E pyetur mbi këtë ngjarje, Shtëpia e Bardhë nuk e mohoi të kishte ndodhur, por u përgjigj se monumenti ishte federal dhe jo shtetëror.
Në vitin 2017, një pjesëtare e kongresit amerikan, Kristi Noem, tha se gjatë një takimi me Trump pasi sapo kishte marrë mandatin, presidenti ia kishte përmendur. “I dhashë dorën dhe i thashë, ‘President, duhet të vini në Dakotën e Jugut, kemi malin Rushmore’. Ndërsa ai mu përgjigj: ‘Nuk e di që ëndrra ime është të kem fytyrën time atje?’. Mendova se po bënte shaka”.
Puna në malin Rushmore, ku ndodhen portretet George Uashington, Thomas Jefferson, Theodore Roosevelt dhe Abraham Lincoln, nisi në vitin 1927, por me vdekjen e skulptorit Gutzon Borglum në vitin 1941, nuk përfundoi kurrë.