Gati pesë muaj pas shpalljes së pandemisë globale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, numri i personave të infektuar nga koronavirusi në mbarë botën shkoi në mbi 20 milionë.
Pavarësisht shifrës shqetësuese, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje që të mos ketë dëshpërim, duke thënë se nëse virusi mund të shtypet në mënyrë efektive, shoqëritë mund të rihapen në mënyrë të sigurt.
Numri i rasteve të koronavirusit në botë shkoi në një milion në fillim të prillit. Më 22 maj, kjo shifër shkoi në pesë milionë. Numri u dyfishua në dhjetë milionë në fund të qershorit dhe shtatë javë më vonë, shifra arriti në 20 milionë, shkruan The Guardian.
Drejtori i OBSh-së tha se ka shpresë për përmirësim, duke dhënë shembuj të shteteve që me sukses e kanë parandaluar përhapjen e koronavirusit, me ç’rast i përmendi Zelandën e Re dhe Ruandën.
“Porosia ime është e qartë si kristali. Shtypeni, shtypeni, shtypeni virusin. Nëse e shtypim virusin në mënyrë efektive, mund t’i rihapim shoqëritë në mënyrë të sigurt”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara, Brazili, India, Rusia dhe Afrika Jugore janë pesë shtetet me më së shumti persona të infektuar me koronavirus në listën botërore.