Eshtë folur shpesh për servilizmin e trashë të Erion Veliajt përkundrejt Edi Ramës, si konfirmim i besnikërisë së palëkundur, por edhe si një mënyrë për të rezistuar sa më gjatë dhe sa më pranë kryetarit.
Gjatë dy javëve të karantinës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka pasur kohën e mjaftueshme të mendohet për një kompliment që vërtet ta përkëdhelë sedrën e kryetarit dhe gjatë një interviste në Report Tv, e ka lëshuar publikisht elozhen e radhës, me shpresën se ajo do të arrijë deri në Dhërmi, ku Rama po qëndron këto ditë për pushime në vilën qeveritare.
“Nëse një ditë do dali vaksina dhe do të ketë një garë mes kombeve, ka thënë Veliaj, unë besoj se një lider si Edi Rama do të ketë mundësi ta sjellë shumë më shpejt vaksinën në Shqipëri, sesa dikush tjetër që njeriun më të famshëm dhe më të fortë që njeh është kunati i vet”
Krahasimi është me Lulzim Bashën dhe kunatin e tij, që sipas Veliaj është njeriu më i famshëm që njeh kreu i PD-së.
Në fakt është e pamundur të verifikohet se kush do ta fitonte garën, që hapi Veliaj për të sjellë vaksinën në Tiranë. Problemi është se Rama ka hequr dorë që prej muajit maj nga strategjia e luftës kundër Covid dhe tani me pandeminë po merret Ogerta Manastirliu. Sigurisht, po të kishte qenë Rama në krye të punëve, Erjoni nuk është çudi që të bënte një krahasim për shpikjen e vaksinës.