Pavarësisht situatës së rëndë humanitare në pikën kufitare të Kakavijës, autoritetet greke nuk kanë ndyshuar asnjë nga masat kufizuese.
Policia e Shtetit bën me dije se Policia greke ka njoftuar Policinë Kufitare në Kakavijë dhe Kapshticë se duke filluar nga data 16.08.2020, nga ora 06:00 deri në orën 22:00 të çdo dite në vazhdim, për të hyrë në Republikën e Greqisë, nëpërmjet Kakavijës do lejohet të hyjnë në Greqi vetëm 750 shtetas çdo ditë, ndërsa nga Kapshtica vetëm 300 shtetas çdo ditë.
Për të hyrë në Republikën e Greqisë prej datës 17 gusht sërisht qëndrojnë në fuqi kushtet:
Të kenë kryer testin e COVID 19, jo me vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë NEGATIV;
Testimi të jetë bërë nga autoriteti shtetëror (Instituti i Shëndetësisë) ose nga çdo spital apo klinikë e certifikuar dhe e njohur nga shteti;
Certifikata të përmbajë të dhënat personale të personit, numrin e pasaportës ose të kartës greke, rezultatin negativ të testit, emrin e Institucionit ku është kryer testimi, adresën, numrin e telefonit, si dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze;
Do të lejohen të hyjnë në Republikën e Greqisë shtetasit që kanë leje qëndrimi greke ose shtetësi greke, punëtorët sezonal, si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës;
Çdo shtetas që do të hyjë gjithashtu duhet të këtë plotësuar formularin PLF.
Më herët, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Kryeministri Edi Rama njoftuan se kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet më të larta shtetërore greke për të lehtësuar situatën.
Por siç duket në njoftimin e Policisë greke ku theksohet se kushtet mbeten në fuqi, këto komunikime nuk kanë dhënë rezultat.