Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas propozimit që bëri pak ditë më parë për të vizituar Bjellorusinë në cilësinë e kreut të OSBE-së për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e krizës pas zgjedhjeve që nxorën fitues diktatorin Lukashenko, por që sollën valën e protestave masive duke u përshkallëzuar.
Ai shkruan se hqipëria po bën vërtetë më të mirën, por sipas tij në Minks, OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve duke nënkuptuar se ende nuk ka marrë aprovim.
Kryeministri Rama thotë se BE-ja e ka mbështetur nismën e tij dhe po punohet për të realizuar misionin në Bjellorusi.
“Disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë! Në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve.
Nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t’i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë🇦🇱🇸🇪
Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun.
Dhe si gjithnjë, ndërkohë që BE-ja si e tërë e disa shtete kryesore të saj e kanë mbështetur nismën e Shqipërisë dhe po punojnë ngushtësisht me ne, prej ditësh për ta marrë mundësuar misionin atje, shqipet në fjalë hedhin glasa mbi Shqipërinë nga lartësia e padijenisë së tyre!”, shkruan Rama.