Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, e ka krahasuar sulmuesin kosovar Vedat Muriqi me sulmuesin belg të Interit, Romelu Lukaku.
Ai këto lëvdata për gjigantin e sulmit të Fenerbahçes i ka dhënë në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.
Challandes ka thënë se një transferim i mundshëm i Muriqit, për Lazion do të ishte blerje shumë e mirë.
“Shpresoj të nënshkruajë për Lazion. Do të ishte një transferim i mirë. Do ishim edhe ne si përfaqësuese. Muriqi është ndryshe nga Immobile, por nga stili i lojës të kujton Romelu Lukakun. Po flasim për dy nivele të ndryshëm sulmuesish, por është ai tip lojtari. Lojtar fizik, gjithnjë i rrezikshëm, e mbron mirë topin në pronësi, mundëson skuadrën të dalë përpara. Në mënyrë metaforike i lëvizë edhe bjeshkët me fuqinë e tij. E shoh mirë në sulm me Correan. Argjentinasi i sillet vërdallë me top dhe ai përkujdeset t’i tërheqë lojtarët kundërshtarë”, ka thënë ndër të tjerash Challandes.
Muriqi tash e disa muaj po kërkohet nga skuadra të mëdha evropiane. Për Lazion u fol se ka arritur marrëveshje, por Fenerbahçe mohoi një gjë të tillë nëpërmjet një komunikate. Klubi turk, megjithatë, ka thënë se për 26-vjeçarin ka pasur oferta të shumta. Muriqi në Superligën e Turqisë në edicionin e fundit shënoi 17 gola dhe pati 7 asistime. Me Kosovën në 23 ndeshje ka realizuar 8 gola.