Në Rrushkull të Durrësit familjet që iu dëmtuan banesat nga tërmeti janë ende pa ndihmë. Në takimet me kreun e selisë blu të këtij qyteti akuzojnë se u është kërkuar para për të rritur vlerën e dëmit dhe se po marrin borxhe për të përballuar qiratë.
Kryetari i PD-së së Durrësit, Ferdinand Xhaferri, ka denoncuar të tjera raste të familjeve që nuk kanë gjetur zgjidhje për dëmet që u ka shkaktuar tërmeti i 26 nëntorit.
Familja e Skënder Kacullit në Rrushkull prej 9 muajsh qëndron me qira, por të ardhurat nuk mjaftojnë ndaj dhe është futur në borxhe.
“Që në tërmetin e parë. Njoftova njësitë bashkiake, njoftova të gjithë. Erdhën e panë, asgjë fare hiç. Kurse në muajin nëntor më doli shtëpia e pabanueshme me DS4. Erdhën këta të tjerët e panë, asnjë gjë hiç fare. Jetoj me qira. Kam hyrë në borxh për të paguar qiranë e shtëpisë. Unë nuk e di si është kjo punë, nuk e di. Po abuzojnë më fatkeqësinë natyrore këta. Nuk e dinë se ku është shqiptari, ku është njerzilliku njeri që ku jeton ku banon, nuk e di të them.”
Fran Kola, një tjetër banor i Rrushkullit akuzon grupet e vlerësimit se i kanë kërkuar para për ti ndryshuar vlerësimin e dëmit që të rritej përfitimi.
“Këtu është kati i parë është biznes, erdhën inxhinierët e vlerësuan. Ata thanë na jep 100 mijë lekë se po e vlerësojmë DS3, DS4 si të duash, na jep paratë…. I thashë unë nuk dua me më ndihmuar gjë, absolutisht, vetëm aq sa është dëmtuar. Shifeni mirë, ju jeni specialistë edhe vlersoni si të doni edhe unë jam dakortë me një fjalë me këtë dëm që është bërë kjo shihet me sy. Nuk kërkoj absolutishtë gjë që nuk më takon, për këto grantet e ndërtimit, për kto ndihmat e fukarenjëve që u ka ndodh kjo fatkeqësi natyrore. Unë kërkoj vetëm atë që më takon.”
Më herët selia e PD në Durrës ka paraqitur dhe raste të tjera ku fondi i dëmshpërblimit nuk mjafton për rindërtimin e banesës./Ora News/