Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se po bëhen përgatitjet e nevojshme për t’u përballur me valën e dytë të koronavirusit, në Kosovë.
Ai tha se pritet që në vjeshtë dhe dimër të rritet numri i pacientëve me COVID-19, ndërsa shton se situata mbetet e rënduar edhe tash në klinikat spitalore.
“Po e përcjellim me shqetësim situatën epidemiologjike në vend e shtetet përreth dhe parashikimet e mundshme për të pasur numër më të madh të pacientëve gjatë vjeshtës dhe dimrit, jemi duke i bërë përgatitjet e nevojshme. Kjo në kuptimin e asaj që të rrisim kapacitetet dhe të sigurojmë furnizim të qëndrueshëm me oksigjen. Janë hartuar projektet për zgjerimin dhe rritjet e numrit të shtretërve që do lidhen me sistemin e oksigjenit qendror. MSH dhe qeveria është duke punuar në krijimin e kapaciteteve shtesë, ashtu si edhe me resurse humane jemi duke ecur në drejtim të pranimit të një mijë mjekëve në specializim dhe të infermierëve, përmes projektit të huamarrjes nga Banka Botërore”, ka thënë ai.
Krasniqi thotë për KP se po bëhen përgatitje edhe në drejtim të funksionalizimit të klinikave në QKUK për shërbim të pacientëve të tjerë që nuk janë të infektuar me koronavirus.
“Ka dhjetë ditë që në Klinikën e Gjinekologjisë nuk kemi pacientë, në atë të Neurologjisë kemi numër simbolik të pacientëve. Nëse vazhdon ky trend, Klinikën Infektive dhe të Pulmologjisë do ta mbajmë vetëm për pacientët me COVID-19, ashtu si janë udhëzuar spitalet regjionale që sipas mundësive të kufizohet numri i pacientëve”, ka shtuar Krasniqi.