Përfaqësuesja e Kosovës menjëherë të premten ka vazhduar përgatitjet për ndeshjen e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve, të cilën e luan ndaj Greqisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të dielën nga ora 20:45. Në stërvitjen e mbajtur të premten pasdite në Drenas, përzgjedhësi Bernard Challandes nuk ka pasur të gjithë futbollistët në dispozicion.
Në fakt, disa prej atyre që startuan në ndeshjen kundër Moldavisë, të luajtur në Itali të enjten mbrëma, janë kthyer nëpër klubet e tyre për t’i ikur karantinimit. Bëhet fjalë për Milot Rashicën Hekuran Kryeziun, Benjamin Kolollin, Leart Paqaradën, Elbasan Rashanin e Herolind Shalën, që nuk do të jenë në dispozicion ndaj Greqisë. Këtë e ka konfirmuar edhe Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) nëpërmjet një njoftimi.
Rashica në ndeshjen me Moldavinë pësoi një lëndim në gju dhe u detyrua të zëvendësohej në pjesëlojën e dytë. Skuadra e tij, Werder Bremeni, ka bërë të ditur se nuk bëhet fjalë për diçka shumë serioze. “Dardanët”, të enjten mbrëma barazuan 1:1 ndaj Moldavisë, në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Ennio Tardini” të Parmas. Golin në këtë ndeshje e realizoi Kololli, shkruan KOHA.
Në stërvitjen e mbajtur në Drenas, Challandes ka punuar vetëm me lojtarët që nuk patën rastin të luajnë ndaj Moldavisë derisa të tjerët që janë kthyer në Kosovë janë lënë të lirë për t’u rigjeneruar. Në këtë stërvitje ekipit i janë bashkuar edhe dy lojtarë të rinj që do të jenë në dispozicion për duelin ndaj Greqisë, mesfushori i Partizanit të Tiranës, Rron Broja, dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi që ditë më parë u largua nga Prishtina për t’iu bashkuar skuadrës së Ballkanit. Krahas Brojës e Thaqit, me ekipin janë stërvitur edhe Florent Hasani, Bernard Berisha, Ibrahim Dresheviq, Besar Halimi, Anel Rashkaj, Atdhe Nuhiu, Samir Ujkani e Visar Bekaj.
Stërvitja ishte e zakonshme kurse të shtunën (sot), Challandesit do t’i bashkohen edhe pjesa tjetër e lojtarëve për të përgatitur strategjinë për përballjen me Greqinë.
Edhe Greqia barazoi në ndeshjen e parë të grupit duke luajtur pa gola si mysafire e Sllovenisë. Greqia të premten ka mbajtur stërvitjen e radhës në Lubjanë, kurse të shtunën (sot) do të arrijë në Kosovë, ku do ta ketë një seancë stërvitore në prag të ndeshjes. Kështu ka njoftuar Federata e Futbollit të Greqisë të premten në sajtin e saj zyrtar.