Teksa futbolli shqiptar vijon bojkotin në pritje të plotësimit të 4 kërkesave nga qeveria, vjen edhe reagimi i presidentit Ilir Meta.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i shtetit përveçse i quan të drejta kërkesat e Ligës Profesioniste të Futbollit, i bën thirrje qeverisë që përmes dialogut dhe mirëkuptimit të angazhohet për të rikthyer topkëmbën në fushat e blerta.
“Kriza e thellë kushtetuese, institucionale dhe përfaqësuese po përshkallëzohet në përmasa shqetësuese në të gjithë sektorët.
Futbolli shqiptar, krenaria jonë kombëtare, prej javësh ndodhet në një ngërç, për shkak të vendimit për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit të Kategorisë Superiore, sezoni 2020 / 2021, që duket se do të vazhdojë për një kohë të pacaktuar në mungesë të vullnetit për gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme.
I njohur me kërkesat e drejta të Ligës Profesioniste të Futbollit, i bëj thirrje qeverisë që përmes dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të angazhohet për t’i rikthyer frymëmarrjen futbollit shqiptar, që ka kohë që ndodhet në vështirësi dhe sot kërkon vëmendje e mbështetje nëpërmjet një baze të sigurt ligjore”, tha Meta.