Princi britanik Harry dhe gruaja e tij Meghan u kanë bërë thirrje amerikanëve të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të SHBA, duke u përfshirë kështu në jetën politike, duke ndryshuar qëndrimin neutral të anëtarëve të familjes mbretërore.
Në një video për revistën amerikane “Time 100”, çifti tha se njerëzit që janë në gjendje të votojnë, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë.
“Kur votojmë, vlerat tona vihen në veprim dhe zërat tanë dëgjohen, zëri juaj është një kujtesë që ju keni rëndësi, sepse ju keni dhe ju meritoni të dëgjoheni,” tha Meghan.
Në zgjedhjet e 2016, Meghan kritikoi presidentin Trump, duke e akuzuar se bëri fushatë përçarëse, ndërsa ai e cilësoi “të poshtër”, sjelljën e dukeshës.
Sipas kushtetutës së pashkruar të Britanisë, familja mbretërore qëndron politikisht neutrale dhe nuk voton në zgjedhje.
“Këto zgjedhje, unë nuk do të jem në gjendje të votoj në SH.B.A., por shumë prej jush mund të mos e dinë se unë nuk kam qenë në gjendje të votoj në Mbretërinë e Bashkuar tërë jetën time,” tha Harry. “Ndërsa i afrohemi këtij nëntori, është me rëndësi që të refuzojmë gjuhën e urrejtjes, dezinformimin dhe negativitetin në rrjetet sociale.”
Videoja e publikuar ishte pjesë e një speciale televizive që u transmetua në rrjetin amerikan ABC për të celebruar listën vjetore të revistës “Time” me 100 njerëzit më me ndikim të vitit. Harry dhe Meghan tani jetojnë në Kaliforni, pasi u larguan nga rolet e tyre të larta mbretërore në muajin Mars.