Një supergol i realizuar të enjten mbrëma mund ta shtyjë para karrierën e Xherdan Shaqirit te Liverpooli. Reprezentuesi i Zvicrës realizoi golin e parë në fitoren 7:2 ndaj Lincolnit. Ai realizoi mjeshtërisht nga goditja e dënimit, nga mbi 20 metra largësi.
Ka kohë që Shaqiri nuk po e kalon situatën më të mirë te Liverpooli. Nuk është i vogël numri i atyre që vlerësojnë se Shaqiri duhet të kalojë te ndonjë skuadër tjetër. Në vitin e fundit ai ka luajtur fare pak, ndërsa goli i shënuar në ndeshjen për Kupën e Ligës ishte i pari në vitin 2020.
Pos që i solli golin shumë të bukur, goditja tipike e Shaqirit me të majtën, mund të jetë pikë kthese në karrierën e tij te kampioni anglez. Se Shaqiri ka cilësi për të luajtur te Liveprooli, nuk është vënë asnjëherë në dyshim. Por lëndimet e shpeshta, sidomos në vitin e fundit, e kanë larguar atë goxha me ekipin bazë. Ai po ashtu ka pasur telashe për të mbajtur në vazhdimësi formën e lartë. Pas transferimit të Thiago Alcantaras, konkurrenca për Shaqirin do të jetë edhe më e madhe.
Por trajneri Juergen Klopp ka dhënë përgjigje shpresëdhënëse për të ardhmen e Shaqirit në skuadër. Shaqiri ka bindur me paraqitje, ndonëse ka luajtur në pozitë jo të zakonshme. Është aktivizuar më mbrapa në mesfushë.
Kloppi ka aktivizuar lojtarë që kanë më pak hapësirë në ndeshjet e Premier Leagues dhe ka vlerësuar se të gjithë kanë shfaqur vlera. Kloppi e ka vlerësuar golin e Shaqirit të jashtëzakonshëm.
“Mbi të gjitha ishte një superndeshje, një superndeshje nga Shaqiri. Nuk jam i sigurt, një pozitë jo e zakonshme – dukshëm më thellë në mesfushë. Ai e kreu detyrën shumë, shumë mirë. Ishte faji im (që Shaqiri u zëvendësua) – ai ishte plotësisht në rregull, ai përdredhi nyjën e këmbës lehtë, por nuk ishte asgjë. Ai e preku atë dy herë dhe kam menduar se është pulpi i tij, por nuk është asgjë”, ka thënë Kloppi për faqen zyrtare të Liveproolit.
Shaqiri luajti deri në minutën e 75-të. Ishte ndeshja e tij e parë zyrtare që nga 15 korriku. Në fazë përgatitore ishte pjesë e skuadrës, por u dëmtua në fund të saj. 28-vjeçari kishte realizuar së fundi më 4 dhjetor të vitit të kaluar, ndaj Evertonit.
Shaqiri prej vitit 2018 është te Liveprooli. Në edicionin e parë kishte kontribut të rëndësishëm, por në të dytin kontribuoi fare pak. Shpresat janë për një edicion të tretë të suksesshëm.
“Megjithatë, mendoj se ishte mirë që e kam zëvendësuar atë. Por ai ka luajtur vërtet ndeshje shumë, shumë të mirë. Ndërprerjet ishin të jashtëzakonshme, goditja e dënimit prej së cilës realizoi, çfarë goli ishte. Nuk ka dyshime për kualitetin e Shaqirit. Nuk ka pasur asnjëherë dyshime dhe për momentin çdo gjë duket shumë mirë. Duket premtuese dhe do të shohim”, ka theksuar Kloppi, duke lënë të kuptohet se Shaqiri ka të ardhmen te Liverpooli, me gjithë konkurrencën e jashtëzakonshme.
Shaqiri i ka luajtur 42 ndeshje gjithsej për Liverpoolin. Ka startuar për herë të parë që nga Botërori i klubeve i mbajtur vitin e kaluar.
Edhe mediat angleze kanë shkruar me optimizëm të premten për të ardhmen e Shaqirit te gjiganti anglez. Edhe komentet e tifozëve ishin shumë pozitive.