Në ambientet e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë në Vlorë u përurua busti i Isa Boletinit, i punuar nga skulptori nga Mitrovica Sabri Behramaj.Ky bust iu dhurua muzeut nga skulptori Behramaj duke pasuruar fondin muzeor.
Në përurimin e busitit, që u zhvillua në kuadër të aktiviteteve për Ditët Europiane të Trashëgimisë dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, deputeti i Partisë Socialiste, Fate Velaj, skulptori, qytetarë etj.Deputeti Velaj tha në fjalën e tij se “kur Beb Dobi, drejtori i muzeut me lajmëroi se një artist nga Kosova po krijonte një bust të Isa Boletinit, mendova se do ishte Luan Mulliqi apo Adem Rusinovci, dy pesha të rënda të skulpturës kosovare.
Rezultati ishte se asnjëri prej tyre nuk ishte por Sabri Berhamaj që kishte studiuar në akademinë e artve pikërisht tek miku im Adem Rusinovci. Vazhdova më tutje kërkimin mbi autorin dhe mësova se e kishte nisur mirë rrugën e suksesit duke u paraqitur në disa ekspozita brenda dhe jashtë Kosovës”.
“Ajo që mua sot më gëzon, është fakti se më në fund, pritja mbaroi. Ka kaq vite që këtyre dhjetë burrave në bronx këtu në oborrin e muzeut (dhjetë firmëtarë të pavarësisë si dhe ministra të qeverisë së parë të Ismail Qemalit) ju ngelën sytë nga dera dhe të merakosur, pyesin përse po vonohet Isa. Por sot, tek e panë të hynte, u qetësuan kur ai, pasi u përqafua me ta, ju shpjegoi vonesën, sesi i ishte dedikuar pavarësisë së Kosovës. Unë dua ta falënderoj autorin që e mundësoi këtë bashkim të bronxtë të 1912-tës dhe veçanërisht, drejtorin që muzeun e ka kthyer në një vatër të ngrohtë të shqiptarizmit”, – theksoi Velaj.Ky aktivitet u organizua nga Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore – Vlorë.
Muzeu i Pavarësisë u përurua në 28 nëntor të vitit 1962 me rastin e 50-vjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare. Ndërtesa gjatë vitit 1913 ishte vend pune për qeverinë shqiptare, për rreth 6 muaj. Më 28 nëntor 1913 këtu u festua përvjetori i parë i pavarësisë. Nga viti 1936 deri në fillimet e Luftës së Dytë Botërore ka shërbyer si muze historik kombëtar.
Muzeu është i pajisur me dokumente, fotografi e objekte origjinale, që pasqyrojnë përpjekjet e luftërat e popullit shqiptar për çlirim kombëtar. Në të të jepet mundësia të shohësh kabinetin e punës si dhe sallën e mbledhjeve të qeverisë provizore të Ismail Qemalit, flamujt origjinalë të çetave kryengritëse dhe mjaft relike të kohës.
Ky muze iu nënshtrua rikonstruksionit falë projektit për restaurimin e qendrës historike të qytetit bregdetar, investim i qeverisë shqiptare./ATSH/