Temat e debatit janë planifikuar që të përfshijnë Gjykatën e Lartë, pandeminë e koronavirusit, ekonominë, problemet racore, dhunën në qytete dhe integritetin e zgjedhjeve
Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe i nominuari demokrat Joe Biden do të ballafaqohen në debatin e parë të martën në mbrëmje, e cila pritet të jetë një betejë politike e ndjekur nga miliona njerëz në të gjithë botën.
Ballafaqimi 90-minutësh hap pjesën e fundit të garës për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Biden vazhdon të mbajë një epërsi të konsiderueshme kundrejt presidentit Trump në vetëm 35 ditë sa kanë mbetur deri në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Një anketë e New York Times/Kolegjit Siena me 950 votues të mundshëm të bërë javën e kaluar tregon se Biden ka një epërsi prej tetë pikësh ndaj Trump. Por paraqitja e tyre në skenën e debatit mund ta zhvendos garën në favor të secilit të nominuar.
Drejtuesi i Fox News, Chris Wallace, do të jetë moderator i debatit, i cili do të transmetohet pa ndërprerje komerciale në çdo rrjet të madh televiziv amerikan përveç që transmetohet drejtpërdrejt në të gjithë botën. Debati do të organizohet në Cleveland, në Universitetin Case Western Reserve të Ohios.
Temat e debatit janë planifikuar që të përfshijnë Gjykatën e Lartë, pandeminë e koronavirusit, ekonominë, problemet racore, dhunën në qytete dhe integritetin e zgjedhjeve.
Debati vjen ndërsa Trump vazhdon të këmbëngulë që Biden të japë pëlqimin për të bërë një test droge.
Kërkesa shumë e pazakontë e Trump është përqeshur nga ish-zëvendëspresidenti i cili gjatë një konference për shtyp tha se nuk ka “asnjë koment” mbi këtë çështje përpara se stafi i fushatës së tij të refuzonte zyrtarisht propozimin.
“Zëvendëspresidenti Biden synon të japë përgjigjet e tij të debatit me fjalë. Nëse presidenti mendon se rasti i tij më i mirë është në urinë, ai mund të ketë atë”, tha zëvendës menaxherja e fushatës Kate Bedingfield në një deklaratë për faqen e internetit të lajmeve Politico.
“Ne nuk prisnim asgjë më pak nga Donald Trump, i cili lëshoi shansin për të mbrojtur jetën e 200 mijë amerikanëve kur ai nuk bëri një plan për të ndaluar COVID-19”, shtoi ajo, duke iu referuar numrit në rritje të viktimave të koronavirusit në SHBA.
Debati i së martës do të zhvillohet nga ora 21:00 deri në 22:30. (01:00 sipas kohës të Evropës Qendrore).
Përballja do të pasohet nga zv.presidenti Mike Pence dhe senatorja Kamala Harris, që do të përballen javën e ardhshme më 7 tetor në debatin e kandidatëve për zëvëndëspresident.
Trump dhe Biden përsëri do të takohen në fazën e debatit më 15 tetor dhe 22 tetor në dy debatet e fundit presidenciale.