Sot është mbajtur seanca në Gjykatën Speciale ndaj Nasim Haradinajt.
Haradinaj, nënkryetar i OVL-së të UÇK-së dyshohet për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Ai u arrestua të premten bashkë me kryetarin e OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati.
Që të dy me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë transferuar për në Hagë.
Urdhërarresti për Gucatin e Haradinajn është lëshuar pasi kishin shpërndarë informata konfidenciale dhe jopublike, si edhe dokumente të lidhura me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në fletëarrestin ndaj tyre thuhet se dyshohen për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për veprën penale frikësim të dëshmitarëve, Gucati dhe Haradinaj mund të dënohen me burgim prej dy deri në dhjetë vjet. Për hakmarrje mund të dënohen me burg deri në tre vjet. Ndërsa për shkelje të fshehtësisë së procedurës deri në një vit. Avokatët thonë se nëse Prokuroria konsideron që edhe persona të tjerë kanë bërë të mundshëm zbulimin e informatave konfidenciale mund ta kenë fatin e njëjtë me atë të krerëve të OVL-së.
“Nuk e njoh këtë gjykatë dhe nuk do ta njoh”, ka thënë nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili ka shtuar Gjykatës Speciale “i ka skaduar mandati më 2 gusht”.
Ai ishte pyetur nëse do që ta ngrejë ndonjë çështje.
“Jam padrejtësisht këtu, keni shkelur Kushtetutën e vendit tim”, ka thënë ai.
Kësaj deklarate, gjyqtari i është përgjigjur se do të ketë kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur të gjitha çështje të ngritura.
Lidhur me paraburgimin e tij, gjyqtari ka thënë se pret që prokuroria të dorëzojë aktakuzën sa më shpejt të jetë e mundur.