Presidenti Emmanuel Macron ka shpalosur të premten planin për mbrojtjen e vlerave shekullare të Francës karshi asaj që e ai e quajti “radikalizëm islamik”, duke pretenduar se feja myslimane ndodhet “në krizë” kudo nëpër botë.
Ky koment i tiji nxiti menjëherë reagimin e botës dhe aktivistëve myslimanë.
Në adresimin e shumëpritur të premten, Macroni insistoi se nuk do të bëhen “koncesione” në nxitjen e re për ta shpjerë fenë nga arsimi dhe sektori publik i Francës.
“Islami është një fe që ndodhet në krizë kudo në botën e së sotmes, e këtë gjë ne thjesht nuk e duam në vendin tonë”, ka thënë ai.
Macron ka bërë të ditur se Qeveria do ta çojë përpara pakon e re ligjore në dhjetor, me të cilën do të fuqizohet ligji i vitit 1905, që e veçon zyrtarisht kishën dhe shtetin në Francë. Ai tha se masat kanë për synim adresimin e problemit të “radikalizimit” në rritje në shtetin e tij, si dhe përmirësimin “e aftësisë sonë për të jetuar së bashku”.
“Shekullarizmi është baza e një France të bashkuar”, ka insistuar ai por ka shtuar se kjo nuk e nënkupton stigmatizimin e të gjithë besimtarëve myslimanë.
Ligjet franceze ua lejojnë qytetarëve që t’i përkasin cilësdo fe që zgjedhin, ka thënë Macron, por demonstrimet e dukshme të përkatësisë fetare do të ndalohen nëpër shkolla dhe në shërbimet publike. Bartja e ferexhesë tanimë është e ndaluar nëpër shkollat franceze dhe për të punësuarit në shërbimet publike.
Menjëherë pas adresimit, komentet e Macronit nxitën debat të ashpër në mediat sociale.