Komisioni i Debateve Presidenciale (CPD), që organizon diskutimet e transmetuara drejtpërdrejtë midis kandidatëve presidencialë, tha se debati i dytë nuk do të mbahet fare
Për shkak të infektimit të presidentit amerikan Donald Trump me koronavirusin e ri (COVID-91), në SHBA është anuluar debati i dytë presidencial i planifikuar për më 15 tetor, njoftoi komisioni organizativ, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, Komisioni i Debateve Presidenciale (CPD), që organizon diskutimet e transmetuara drejtpërdrejtë midis kandidatëve presidencialë, tha se debati i dytë nuk do të mbahet fare.
“Duket qartë për momentin se nuk do të ketë debat të transmetuar më 15 tetor, kështu që CPD tani do të përqendrohet në përgatitjet për debatin përfundimtar të planifikuar për më 22 tetor”, tha komisioni.
Diskutimet për mënyrën se si do të mbahej debati i dytë filluan menjëherë pasi Trump javën e kaluar u shtrua në spital si pasojë e infeksionit dhe u detyrua të izolohet për të paktën dhjetë ditë.
Pala e presidentit Trump refuzoi propozimin e CPD-së për mbajtjen e debatit në mjedis virtual, ndërsa ajo e rivalit të tij Joe Biden njoftoi se është kundër një debati me prani fizike për shkak të mundësisë që Trump ende të bartë virusin.
Në deklaratat e tyre të fundit, dy kandidatët kanë thënë se mbrëmjen e 15 tetorit do t’u drejtohen votuesve të tyre duke marrë pjesë në programe të veçanta në kanale të ndryshme televizive.
Pas zhvillimeve të fundit, debati i tretë dhe i fundit presidencial i transmetuar drejtpërdrejtë në SHBA do të mbahet në Nashville, Tennessee, më 22 tetor.