Krerë të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Staten Island të New Yorkut kanë shprehur përkrahjen për kongresistin Max Rose për një mandat tjetër si përfaqësues i Distriktit 11 në New York, një nga zonat elektorale me popullsinë më të madhe shqiptare.
“Jam krenar të prezantoj komunitetin më të madh të shqiptar-amerikanëve në shtet dhe tejet i nderuar që kam përkrahjen e tyre”, ka thënë Rose, veteran lufte. “Ky komunitet e di se sa e rëndësishme është që liderët të luftojnë për të drejtën, dhe të nxjerrin rezultate e të vendosin gjithmonë shtetin para partisë”, ka shtuar ai.
Një nga organizatorët, Safet Doçi, ka thënë se përkrahin Rosen, për shkak të “mbajtjes së premtimeve të tij”.
“Rose, ka qenë i palëkundur në mbajtjen e premtimeve të tij dhe dhënien e rezultateve për Staten Island dhe South Brooklyn, duke përfshirë: vendosjen me Gardën Kombëtare për të ndihmuar krijimin e një spitali të vetëm ushtarak për COVID-19 në Staten Island, duke siguruar një rritje të buxhetit prej 140 milion dollarë në financim për të luftuar epideminë e opioidit dhe për të udhëhequr luftën dypalëshe për të mbajtur zbritjen e taksave të banorëve të ishullit Staten Island në dy urat kryesore të Autoritetit Portual”, ka thënë Doçi.
Rose është veteran i Ushtrisë Amerikane. Ai shërbeu si një oficer detyre aktiv në Afganistan nga 2012-2013, dhe fitoi një Medalje të Yllit të Bronzit, Zemrës së Purpurt dhe Luftimit të Këmbësorisë. Ai vazhdon edhe sot duke shërbyer në Gardën Kombëtare. Është vlerësuar si anëtari më i efektshëm i Kongresit.