Kryeministri Edi Rama i dorëzoi mbrëmjen e së hënës “Yllin e Madh të Mirënjohjes Publike”, Nuncit Apostolik, Charles John Brown, i cili do të largohet nga Shqipëria në drejtim të Filipineve.
“Tri vitet e mia në Shqipëri kanë qenë zbulim për mua dhe këtë mund ta them paksa me krenari, pasi kam pasur mundësi të udhëtoj vendin gjerë e gjatë nga Vermoshi në Sarandë, nga Durrësi në Korçë, u jam ngjitur maleve të Jezercës dhe Korabit, kam kaluar nga Fierza në Iballë nga Liqeni i Komanit, kam parë bukuri madhështore, përreth maleve të Thethit, Valbonës dhe rrënojat e pabesueshme greke e romake të Apolonisë”, – u shpreh Brown gjatë ceremonisë së marrjes së vlerësimit.
“Mund të flas nga përvoja personale që Zoti e ka bekuar Shqipërinë me bukuri natyrore të jashtëzakonshme. Por më shumë se bukuria e peizazhit, kam takuar një popull, një komb me një histori unike e cilësi që i admiroj shumë. Vendi juaj shtrihet në zemër të Europës në gjysmë të rrugës thuajse midis Romës së parë, ku është Selia e Shenjtë dhe jeton Papa Francesku, dhe Romës së themeluar në 330 nga perandori Kostandin. Shqipëria është një vend europian që ka reflektuar më së miri lidhjen me Europën midis Lindjes dhe Perëndimit”, u shpreh Nunci Apostolik.
“Shprehjet lindore, perëndimore të krishterimit, që në kohën tonë kanë evoluar në katolicizëm dhe ortodoksi, kanë qenë të pranishme në Shqipëri për më shumë se 1500 vjet dhe islami në formën e posaçme shqiptare ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kulturën e vendit”, tha ai.
Kjo trashëgimi pikëtakimesh e ndërveprimesh e ka formësuar Shqipërinë në kaq shumë forma sa nuk numërohen. Asnjë shqiptar nuk mund t’i thotë një tjetri që ti nuk ke vend këtu se je katolik, apo se je ortodoks, apo mysliman. Eshtë e pamundur dhe kjo është një gjë shumë e shumë e mirë”, theksoi ai.
“Ky është vërtetët një bekim nga Zoti”, vijoi gjatë fjalës së tij Nunci Apostolik, ndërsa tha se identiteti i Shqipërisë si një vendtakim është një nga arsyet për mikpritjen legjendare të popullit shqiptar.
“Mendojmë për Via Egnatian e famshme. Shqiptarët mësuan të mikpresin udhëtarët e refugjatët me dyer e zemër të hapur duke i parë udhëtarët si miq. Natyrisht ky realitet pasqyrohet edhe në fjalën shqiptare mikpritje. Të gjithë ne e dimë se për hapjen ndaj udhëtarëve dhe refugjatëve, Shqipëria është unike mes kombeve në Europë. Pati dhe ka një popullsi mjaft të madhe hebreje në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa kishte në fillim të saj”, tha ai.
Për t’iu kthyer dy momenteve: “Nënë Terezës” dhe kohës së izolimit 30-vjeçar, ai tha se, “trashëgimia e ndërveprimit shqiptar ishte një arsye pse izolimi paranojak i Shqipërisë në atë periudhë ishte kaq në antitezë me shpirtin shqiptar”.
“Një javë më parë, Papa Francesku botoi enciklikën “Vëllezër të gjithë”. Papa zhvillon aty disa prej temave që unë kam prekur shkurtimisht këtë mbrëmje. Nuk është rastësore që ky dokument i Papa Franceskut përmban tre citime nga vizita e tij në Shqipëri që vjen të reflektohet thellë”, tha Nunci.
“Personalisht jam ndjerë i mirëseardhur në Shqipëri që kur zbrita nga avioni në 7 maj 2017 dhe këtë mirëseardhje e kam ndjerë edhe sot në fjalën e kryeministrit Rama simbolizuar nga ky yll i madh që ju më keni dhënë me kaq mirësjellje. Nuk është e lehtë për mua të largohem nga vendi që fillova ta dua fort, dhe ylli që më keni dhënë do të mbahet në të majtë mbi zemrën time, sepse vendi që përfaqëson më ka hyrë në zemër”, u shpreh ai.
“Mirënjohje për gjithçka kam përjetuar në Shqipëri dhe mirënjohës ndaj kryeministrit Rama për pritjen e Papa Franceskut dhe marrëdhënien me Selinë e Shenjtë si dhe për ndihmën Tuaj për të zgjidhur një prej pronave të Kishës Katolike në Elbasan”, theksoi ai.
Duke folur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Rama u shpreh se, “Ati i Shenjtë e quajti vëllazëri fetare bashkëjetesën shoqërore mes besimtarëve shqiptarë në Krisht a Muhamet, Paqja e Zotit qoftë mbi të, gjatë vizitës së tij të paharrueshme në Shqipëri”.
“Enciklika e tij më e fundit përkon edhe me largimin prej Shqipërie të të dërguarit të tij Imzotit Charles, i cili qëndroi mes nesh dhe me ne si një vëlla, gjatë tre viteve që shërbeu me zotnillëk dhe përulësi si ambasador i Selisë së Shenjtë në këtë vend”, tha Rama./ATSH/