Përballë analistëve Presidenti Meta deklaroi me tone të ashpra se nuk i intereson opozita, por shqiptarët, sepse Shqipëria rrezikon të braktiset.
“Nuk më intereson opozita, më interesojnë shqiptarët. Unë i kam thënë opozitës që të mos djegin mandatet se Rama është i papërgjegjshëm dhe nuk do reflektojë. Kjo është çështje për jetë a vdekje. O ka Shqipëri me shqiptarë, o banori më i ri në Shqipëri mbetet Ilir Meta”, tha Meta.
Më tej, Presidenti vijoi se “Kam thënë se kush prek zgjedhjet, do ketë probleme të paimagjinueshme. Duan të bëhen kurban për pushtetin e Ramës? Le të bëhen. Në rast se Rama respekton 5 Qershorin, Ilir Meta do të vazhdojë punën e tij”.
I pyetur në ‘Syri.net’ se çfarë do të bëjë në rast të problemeve në zgjedhjeve, ai tha: “Të siguroj që presidenti do bëjë të gjitha aktet që bën një president patriot”.
Gjithashtu Meta komentoi edhe dhënien e dekoratave, për të cilat është akuzuar nga kryeministri Edi Rama.
“Është detyra e presidentit të nderojë heronjtë. Këta duan të zhbëjnë atdheun,” tha ai, duke theksuar se personazhet e dekoruar, nuk ishin nderuar më parë, duke përmendur Avni Rustemin.
“Kam dekoruar pasi jam konsultuar me historianët dhe personalitet,” tha Meta.
“Impakt elektoral qenkan dekoratat dhe nuk qenkan PPP-të dhe koncesionet prej miliardash?” ironizoi Meta.
“Ata i shqetëson përpjekja për të investuar të atdhedashuria,” tha Meta.
Ai u shpreh se pasojat për prishjen e 5 qershorit do jenë të paimagjinueshme.
“I kam bërë të gjitha aktet dhe do i bëj të gjitha. Do bëj të gjitha aktet e një presidenti patriot. Akti më i madh që do të bëj është që bashkë me popullin shqiptar do e fusim pas 25 prillit Shqipërinë në epokën e sundimit përmes referendumeve,” tha Meta.
Presidenti tha se do e kthejë Kodin e ri Zgjedhor. I pyetur se çfarë do të bëjë nëse Rama e miraton sërish siç është, ai tha se “vullneti i mbetet popullit shqiptar”.