Arabia Saudite ka njoftuar se dy anije të saj që po transportonin naftë kanë qenë cak i një sulmi pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ministri saudit i energjisë, Khalid al-Falih, tha të hënën se njëra nga anijet ishte rrugës për ta marrë naftën që më pas do të shitej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai shtoi se sulmi i së dielës nuk solli pasoja në njerëz ose derdhje të naftës, por shkaktoi dëme të konsiderueshme në strukturën e dy anijeve.
Në anën tjetër, Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se katër anije tregtare janë sulmuar nga persona të panjohur afër ujërave të këtij shteti por nuk ka pasur pasoja.
Ne deklaratën e kësaj ministrie nuk u dhanë hollësi për natyrën e sulmit sabotues në qytetin Fujairah dhe nuk u tha se kush mund të qëndrojë prapa tij.
Ky sulm vjen në kohën kur janë rritur tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Javën e kaluar, Uashingtoni njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armatim të rëndë në Gjirin Persik, përfshirë një luftanije dhe disa aeroplanë bombardues, shkruan “Free Europe”.