Afërsisht 40 njerëz kanë vdekur në Vietnam dhe Kamboxhia dhe dhjetëra të tjerë janë zhdukur pas reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe vërshimeve që e kanë përfshirë Azinë Juglindore.
Reshjet e mëdha që nisën në fillim të tetorit pritet të rëndohen gjatë ditëve të ardhshme për shkak të stuhisë Nangka, e cila është duke lëvizur në drejtim të brigjeve të Vietnamit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Kjo stuhi ka sjellë erë me shpejtësi deri në 100 kilometra në orë dhe pritet të shkaktojë reshje deri në 400 milimetra në disa pjesë në veri dhe qendër të Vietnamit nga e mërkura deri të premten, tha agjencia e motit e këtij shteti.
Vërshimet e vazhdueshme i kanë shkaktuar 28 viktima në Vietnam dhe 11 në Kamboxhia, ku gati 25.000 shtëpi dhe 84.000 hektarë të mbjella janë dëmtuar, raportojnë mediet lokale.
Autoritetet për menaxhimin e fatkeqësive në Vietnam thanë se më shumë se 130.000 shtëpi janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.
Shtatëmbëdhjetë punëtorë të ndërtimtarisë u zhdukën pas rrëshqitjes së dheut në një projekt për ndërtimin e një dige në pjesën qendrore të Vietnamit.
Gazeta shtetërore Nhan Dan raportoi se janë zhdukur edhe 13 punëtorë të ekipeve të kërkim-shpëtimit, të cilët shkuan për t’i gjetur dhe për t’i shpëtuar punëtorët e zhdukur.