Ushtria armene duke e shkelur armëpushimin vazhdon me të shtëna intensive artilerike kundrejt qendrës së qytetit Terter
Ushtria e Armenisë ka shënjestruar ekipin e Televizionit Shtetëror të Azerbajxhanit (AZTV) që ishin duke ndjek sulmet ndaj civilëve në qytetin Terter të Azerbajxhanit.
Reporteri i Luftës i AZTV, Elnur Tofig, për AA tha se, “Në orët e mëngjesit dëgjuam të shtëna artilerike ndaj një shkolle në fshatin Duverli të Terter. Shkuam në vendin e ngjarjes dhe incizuam. Në atë kohë ndodhi një sulm i ri”.
Ai tha se përderisa kanë vrapuar në automjet ka ndodhur edhe një shpërthim i madh.
“Shoferi ynë u plagos nga koka dhe barku. Menjëherë atë e morëm në automjet por ishte edhe një civil afër nesh. Edhe ai ishte i plagosur, e morëm edhe atë dhe u kthyem në qendër të qytetit Terter”, tha gazetari.
Ai tha se automjeti i tyre ka pësuar dëm, por se kanë tejkaluar sulmin pa viktima.
Tofig theksoi se si gazetarë do të vazhdojnë të ndjekin sulmet e Armenisë ndaj civilëve.
Ushtria armene duke e shkelur armëpushimin vazhdon me të shtëna intensive artilerike kundrejt qendrës së qytetit Terter.
Kryeprokuroria e Azerbajxhanit kishte njoftuar se nga 27 shtatori deri në 14 tetor në sulmet e Armenisë kanë humbur jetën 43 civilë azerbajxhanas, kurse 206 të tjerë janë plagosur.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike janë tensionuar që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.
Përleshjet e reja shpërthyen më 27 shtator dhe që prej asaj kohe Armenia ka vazhduar sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase.
Ndërkaq, një armëpushim humanitar ishte shpallur më 10 tetor për shkëmbimin e të burgosurve dhe tërheqjen e trupave të të vdekurve në Malësinë e Karabakut, pas bisedimeve të Armenisë dhe Azerbajxhanit në Moskë.
Ushtria armene, pa kaluar as 24 orë nga armëpushimi më 11 tetor kishte sulmuar qytetin Ganja të Azerbajxhanit duke shkaktuar vdekjen e 10 personave dhe plagosjen e 35 të tjerëve.