Drejtuar nga 70 anëtarë të ekuipazhit, Taigei do të jetë anija e 22-të në flotën e nëndetëseve të Forcave Vetëmbrojtëse Detare të Japonisë
Japonia sot zbuloi një nëndetëse të re mes tensioneve në rritje detare me Kinën.
Sipas agjencisë së lajmeve Kyodo, Taigei 3.000 tonë, ose balena e madhe, e ndërtuar nga Mitsubishi Heavy Industries Ltd. do të vihet në shërbim deri në mars të vitit 2022. Është në ndërtim e sipër në një kantier detar në Japoninë perëndimore.
Drejtuar nga 70 anëtarë të ekuipazhit, Taigei do të jetë anija e 22-të në flotën e nëndetëseve të Forcave Vetëmbrojtëse Detare të Japonisë.
Do të jetë 84 metra e gjatë dhe 9,1 metra e gjerë, duke i kushtuar Japonisë rreth 720 milionë dollarë.
Njoftimi vjen mes tensioneve në Detin e Kinës Lindore, ku Tokio fajëson Pekinin për shkeljen e ujërave territoriale të vendit.
Japonia tha se të dielën e kaluar anijet e rojeve bregdetare kineze hynë në ujërat e saj territoriale pranë Ishujve Senkaku në Detin e Kinës Lindore.
Roja bregdetare japoneze tha se anijet kineze qëndruan në ujërat e saj për 57 orë dhe 39 minuta, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 39 orësh dhe 23 minutash të vendosur në korrik.
Kina pretendon ishujt e kontrolluar nga japonezët, të cilët i quan Diaoyu dhe rregullisht dërgon luftanijet e saj në ujërat përreth.
Nën këto tensione në rritje, Tokio synon të rrisë numrin e nëndetëseve të saj nga 16 në 22 si pjesë e Udhëzimeve të Programit Kombëtar të Mbrojtjes 2010.
Aktualisht, Japonia drejton nëntë nëndetëse të klasës Oyashio me 2.750 tonë dhe 11 anije luftarake të klasës Soryu me 2.950 tonë. Ajo planifikon të shtojë një nëndetëse të 12-të të klasës Soryu vitin e ardhshëm.