Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson, në një bisedë telefonike me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur “zhgënjimin” e tij për mungesën e progresit në bisedimet mbi Brexit-in.
“Kryeministri theksoi dëshirën për marrëveshje, por shprehu zhgënjim se nuk është arritur përparim më i madh gjatë dy javëve të fundit”, thuhet në njoftimin nga qeveria britanike.
Më tej, thuhet se kryeministri britanik “do të reflektonte përpara se të përcaktonte hapat e ardhshëm të Mbretërisë së Bashkuar”.
Johnson më parë ka insistuar se afati i fundit i Britanisë për bisedime ishte 15 tetori dhe nëse bisedimet zvarriteshin për më gjatë, Britania do të tërhiqej dhe do të përgatitej për një Brexit pa marrëveshje.
“BE po punon për një marrëveshje, por jo me çdo çmim. Kushtet duhet të jenë të drejta, për peshkimin, fushën e barazisë dhe qeverisjen. Ende ka shumë punë përpara nesh”, shkroi Ursula von der Leyen në Twitter.