Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri Yuri Kim ka apeluar për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
“Që kur kam mbërritur këtu në janar kam qenë dëshmitare e drejtpërdrejt e sfidave me të cilat përballet komiteti i biznesit dhe investitorët e huaj në Shqipëri. Të gjithë e dimë që shteti ligjor duhet të forcohet dhe të përmirësoj integritetin e tij në mënyrë që investimet e huaja kuptimplota të vijnë në vend. Ekziston një mundësi dhe potencial i pabesueshëm këtu për të rritur ekonominë. Nuk është e vështirë ta shesësh Shqipërinë. Nëse bëhet siç duhet Shqipëria ka një qasje të jashtëzakonshme me botën përmes portit dhe pozicionit të saj strategjik si pikë hyrëse në Evropë”, deklaroi ambasadorja amerikane.
Duke e vlerësuar si gur themeli në marrëdhëniet ekonomike kontratën me firmën amerikane për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës, Kim tha se shpreson që ky hap i parë do të shënojë dhe fillimin e një liste më të gjatë të kompanive amerikane që vijnë në Shqipëri.
“Është koha të rrisim mundësitë të punojmë së bashku që të prodhojmë begati për të dy palët. Me 3 tetor SHBA dhe Shqipëria nënshkruan memorandumin e parë të bashkëpunimit ekonomik mes vendeve tona, është një arritje domethënëse, historike dhe do të ndihmojë për të ngritur marrëdhëniet tona ekonomike në të njëjtin nivel me marrëdhëniet tona dypalëshe politike që tani janë jashtëzakonisht të thella”, tha Kim.
Ndonëse Ministrja e Financave Anila Denaj thotë se klima e biznesit është fokusi i qeverisë ajo shprehet se duhet ende punë për të përmirësuar atë.
“Klima e biznesit është dhe duhet të jetë në fokus. Duke qenë këtu një përfaqësues i qeverisë dua të theksoj angazhimin që përpjekja dhe puna për të përmirësuar klimën e biznesit nuk do të mungojë. Jo pak punë është bërë edhe pse kjo nuk është e mjaftueshme”.
Por për presidentin e Dhomës Amerikane Enio Jaço krijimi i një klime biznesi me garanci ligjore dhe konkurrencë të ndershme, pa korrupsion e kriza politike do të ndryshojë imazhin e Shqipërisë dhe do të kthejë vendin në qendër të investimeve amerikane dhe ndërkombëtare në rajon.
“Parimet tona kanë qenë të qarta. Praktika të sigurta dhe garanci ligjore për bizneset, uljen e korrupsionit dhe rritjen e transparencës. Konkurrencë të ndershme për një sistem gjyqësor funksional. Më pak kriza politike dhe më shumë bashkëpunim. Këto janë çështje që akoma ndikojnë në klimën e biznesit. Në fakt vazhdojnë dhe prodhojnë sfida. Megjithatë ne jemi optimist sot sepse klima e biznesit ka marrë një vëmendje tjetër nga të gjithë aktorët më të rëndësishëm të vendit dhe ata ndërkombëtarë”, u shpreh Jaço.