Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i VV-së, Albin Kurti, e ka quajtur padrejtësi speciale atë që po ngjan në Kosovë si pasojë e aktivitetit të Gjykatës Speciale.
Kurti ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës ndaj bashkëpartiakut Rexhep Selimi, por ka folur edhe për atë ndaj ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, që po ashtu u konfirmua sot.
“Padrejtësia speciale vazhdon. Kryetarit të Grupit tonë Parlamentar, anëtarit tonë të Kryesisë, deputetit të katër legjislaturave të fundit të Kuvendit të Republikës, Rexhep Selimit, Dhomat e Specializuara ia konfirmuan aktakuzën sot pasdite. Më herët gjatë ditës, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ka shkruar se me aktakuzat e sotshme janë gëzuar në Serbi, porse ky gëzim nuk do të zgjasë shumë.
“Sot janë gëzuar udhëheqja e Serbisë, me presidentin e tyre në krye, dikur ministër i Milosheviqit, e që në botë shtiret si djalosh joproblematik. E dimë që është gëzuar edhe kryetari i Kuvendit të Serbisë, dikur zëdhënës i partisë së Milosheviqit, meqë neve na e arrestuan zëdhënësin e UÇK-së i cili ishte edhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës kur u shpall pavarësia. E dimë që sonte festohet në Beograd, sepse e kishin tmerr Rexhën para e gjatë luftës teksa vëllain Asllanin ia mbanin peng në burgjet e Serbisë. E dimë. Por, nuk do t’u zgjasë fort kjo festë, sepse Republika e Kosovës nuk kthehet prapa e shqiptarët po bëhen komb i barabartë me të tjerët”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se Selimi dikur luftonte në UÇK, kurse tash do të luftojë për UÇK-në.
“Rexha është krenar me gjithë çka bërë. Ne jemi krenarë me Rexhën”, ka shkruar ai.