Presidenti Ilir Meta ka rikthyer në kuvend ligjin ‘për metrologjinë’, një ditë pasi dekretoi kthimin e ligjit ‘për gjendjen civile’.
“Eshtë një ndër ligjet me përmbajtje më të lartë antikushtetutshmërie, në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurrues, duke përbërë dhe shembullin tipik dhe të përsëritur, të fenomenit të “korrupsionit legjislativ”.
Ky ligj, siç dhe do të shpjegohet në vijim, në disa dispozita të tij krijon hapësira për zhvillimin e praktikave korruptive dhe shtron terrenin që këto praktika në dëm të interesit të popullatës dhe interesit publik, të realizohen drejtpërdrejtë përmes ligjit dhe mbrojtjes që ai ofron për subjektet që do t`i realizojnë ato. Këto dispozita që do të analizohen në vijim e bëjnë praktikisht edhe pjesën tjetër të ligjit nr. 126/2020, të papranueshëm për dekretim me shpallje”, shkruan Meta në argumentimin e tij për kthimin e ligjit.