David Hooper, akovat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka pyetur Prokuorinë e Specializuar dhe gjykatësin e Procedurës Paraprake se ku janë pretendimet për trafikimin e organeve, mbi të cilat u themelua Gjykata Speciale.
“Ku janë pretendimet për trafikimin e organeve, sepse këto ishin shumë të rëndësishme për lindjen e kësaj gjykate”, ka pyetur Hooper.
Avokati është përplasur në Gjykatën Speciale me gjykatësin Nicolas Guillou edhe lidhur me simbolet e Kosovës, që mungojnë në këtë institucion të drejtësisë.
David Hooper ka ngritur çështjen e mungesës së simboleve të Kosovës në Gjykatën Speciale.
“Jo vetëm që është njollë për Kosovën dhe Kosovarët. Gjykatë e Kosovës, por nuk ka asgjë nga Kosova. Nuk ka asnjë emblemë të Kosovës. Ndoshta mund t’i kushtohet vëmendja kësaj. Nëse është Gjykatë e Kosovës, mund të kishim këtu shqiponjen e zezë me të kuqe”, ka pyetur avokati, duke mos i ditur mirë simbolet e Kosovës.
Në replikë, gjykatësi Nicolas Guillou e ka pyetur avokatin se pse ai s’ka veshur rroba kuq dhe zi.
“Mund të kishit veshur rroba të kuqe”, tha Guillou.
Ndërsa avokati i replikoi përsëri. “Por unë nuk jam avokat i Kosovës”, tha ai, duke theksuar se nuk është anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës.
Të enjten e javës së kaluar, ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimin u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.