Kryeministri irlandez, Micheal Martin i kërkoi sot qeverisë britanike, mes negociatave me Bashkimin Europian për marrëdhënien e tyre post-Brexit, të fillojë të jetë aktive për të arritur në një marrëveshje, duke paralajmëruar për pasoja ekonomike në rast të dështimit të diskutimeve.
“Qeveria britanike (…) duhet të jetë aktive dhe të arrijë në një marrëveshje me Bashkimin Europian”, deklaroi Micheal Martin për BBC.
“Irlanda dhe Britania e Madhe do të jenë vendet më të prekura nga pasojat e mungesës së një marrëveshjeje”, deklaroi ai.
Nëse Britania e Madhe nuk do të merrte garanci për një qasje të garantuar në tregun e vetëm të BE-së, do të ishte “shkatërruese për ekonominë dhe tregtinë britanike.
“Po kështu, Irlanda do ta pësonte shumë më keq nëse nuk do të kishte marrëveshje,” shtoi ai.
Britania e Madhe doli ng aBE më 31 janar, por vazhdon të aplikojë rregullat europiane deri më 31 dhjetor, një periudhë tranzicioni që i mundëson Londrës dhe Brukselit të negociojnë për një marrëveshje në lidhje me marrëdhëniet e tyre të ardhshme tregtare.
Diskutimet midis Londrës dhe Brukselit vazhdojnë në kryeqytetin britanik këtë javë, dhe akoma pengohen në disa pika, duke përfshirë peshkimin, garancitë e kërkuara në Londër për sa i përket konkurrencës dhe mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në marrëveshjen e ardhshme.
“Negociatat vazhdojnë deri në këtë fundjavë në Londër dhe do të rinisin javën tjetër në Bruksel”, tha një burim europian.
“Progrese janë bërë por ekzistojnë mosmarrëveshje”, theksoi ministri britanik, Michael Gove.