Armenia dhe Azerbajxhani të shtunën i shkëmbyen trupat e ushtarëve të vrarë, të cilët humbën jetën gjatë luftimeve afër qytetit Shusha në rajonin e Nagorno-Karabakut, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.
Përmes një deklarate, kjo ministri tha se trupat e ushtarëve të rënë janë mbledhur me pjesëmarrjen e forcave paqeruajtëse ruse, të cilat janë vendosur në rajonin e kontestuar, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.
“Si pjesë e këtij veprimi humanitar, trupat e forcave të armatosura armene janë mbledhur dhe janë dorëzuar te pala armene. Gjithashtu, brenda kornizës së këtij veprimi, trupat e gjashtë pjesëtarëve të Ushtrisë së Azerbajxhanit, të cilët ranë dëshmorë gjatë betejave rreth qytetit Shusha, janë pranuar”, thuhet në deklaratë.
Autoritetet azere u shprehën mirënjohje Ministrisë së Mbrojtes së Rusisë dhe ministrit të kësaj ministrie, Sergei Shiogu, për organizimin e shkëmbimit të trupave mes dy palëve të konfliktit.
Më 10 nëntor, Armenia dhe Azerbajxhani, me ndërmjetësimin e Rusisë, nënshkruan marrëveshje armëpushimi me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për konfliktin e gjatë.
Në Azerbajxhan, kjo marrëveshje është festuar si fitore, sepse forcat azere do t’i mbajnë nën kontroll territoret e fituara gjatë luftimeve që nisën më 27 shtator, ndërsa në Armeni ka pasur protesta për shkak të pakënaqësisë rreth kushteve të marrëveshjes.