Gjatë procesit të votimit për kryetarin e LSI dhe forumet drejtuese kryetarja Monika Kryemadhi dha votën në njësinë Nr.5 për tu rikonfirmuar në krye të LSI-së, siç tha ajo.
“Sot dhashë një votë si të gjithë anëtarët e tjerë. Shoh shumë gra në listë, kanë ardhur vajza në LSI e janë bërë nëna, shoh edhe shumë të rinj. Garoj për tu rikonfirmuar, por po pres me padurim zgjedhjen e ekipit drejtues që do dalë nga ky proces. Ekipi që do drejtojë LSI në misionin kombëtar për t’ju dhënë shqiptarëve punësim, arsim cilësor, ulje kosto jetese dhe cilësi. Fitorja e LSI do jetë e jashtëzakonshme, është fitorja e të rinjve dhe të rejave”, tha ajo.
Por ndërsa vlerësoi një pjesëmarrje të jashtëzakonshme në këto zgjedhje, ra në sy fakti që Kryemadhi mbante maskë. Ajo u shfaq me një maskë me logo të LSI dhe shtoi se nuk ia kishte mbledhur policia, por partia që ta mbante.
“Me sa duket partia ma mbledh, jo njeri tjetër. Unë përsëri vazhdoj të mendoj që maska mbahet në ambiente të mbyllura, ta mbajnë se besojnë dhe jo se i kërcënojnë. Sot duhet t’i ofrojmë shqiptarëve forcë, optimizëm, ata nuk i mund korona, as varfëria. Ata brenda vetes kanë dashuri, solidaritet lidhje dhe forcë me njëri-tjetrin”,– sqaroi Kryemadhi.
Gjithashtu, Kryemadhi tregoi publikisht se një nga qarqet ku do të garojë më 25 prill është Fieri.
Ajo shtoi po ashtu se, do të zgjedhë qarqet më të vështira.
“Do kandidoj në qarqet më të vështira. Monika s’ka frikë nga gara dhe zgjedhjet. Sot në këto kushte s’kam qëllim të jem veç kryetare e LSI, kam një mision: Ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e gjithë shqiptarëve! T’i kthejmë këtu, të vijnë të punojnë këtu. Të jenë vetë zot. Shqipëria të jetë pjesë e Europës. Kodi i ri zgjedhor na e ka dhënë këtë mundësi të garojmë në disa qarqe, Fieri do jetë një nga zgjedhjet e mia”, tha ajo.