U.d. e Presidentes, Vjosa Osmani sot ka mbajtur një takim virtual me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, z. Tomáš Szunyog, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit politike, raporton Gazeta Express.
Me theks të veçantë, në takim u diskutua për relacionet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Osmani ritheksoi se për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nevojitet bashkërendim dhe unifikim i qëndrimeve të tërë spektrit politik në Kosovë.
“Në mënyrë që marrëveshja që do të arrihej në Bruksel të gjejë implementim dhe të konsiderohet e pranueshme në vendin tonë, konsideroj që duhet të punohet në mënyrë aktive drejt unifikimit të qëndrimeve dhe kërkesave të tërë spektrit politik në vend. Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe e tillë që e respekton Kushtetutën e vendit tonë, integritetin territorial dhe parimin e unitaritetit të shtetit. Askush nuk ka mandat që ta rinegociojë kushtetutën tonë e cila tashmë në vetvete përfshinë shumë koncesione”, ka thënë Osmani.
Në këtë bashkëbisedim online, u diskutua edhe për marrëveshjen e fundit në mes të Republikës së Kosovës dhe BE-së për sigurim të stabilitetit makroekonomik si dhe përballjen me pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia.
Kujtojmë se anëtari i LDK’së, Anton Berisha, kishte kritikuar Osmanin për siç kishte thënë ai, gjuhën jodiplomatike që po përdorë ndaj Bashkimit Evropian.
Ai kishte thënë se këto kritika të pamatura e dëmtojnë pozicionin edhe ashtu të rënduar të Kosovës.
“Ka vite qe zyrtare të lartë shtetëror të Kosovës, pa marre asnjë përgjegjësi për veprimet e veta kanë sulmuar BE-në, dhe shtetet specifike të saj, thua se ato janë detyruese e të varura nga ne, e jo e kundërta siç e tregon realiteti”, kishte thënë ai.