Rindërtimi i qytetit të Durrësit dhe zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019, vijon të mbetet një nga problematikat që PD trajton shpesh.
Ish-deputetja Grida Duma në një deklaratë ka thënë se deri më tani nuk është përfunduar asnjë ndërtim i premtuar, duke shtuar se ky vit ka qenë një kalvar vuajtjesh për qytetarët.
“Sot, një vit pas tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit, Durrësi është totalisht i braktisur. Nuk ka as edhe një ndërtim të vetëm të mbaruar. Zero!
I gjithë ky vit i kaluar mes kalvarit të vuajtjeve, nëpër tenda, mes të ftohtit, të nxehtit, rrënojave të shtëpive, pallateve të dëmtuara nuk ka vlejtur për asgjë. Procedurat e rindërtimit po tërhiqen zvarrë prej “Hajdutëve të Fatkeqësisë”, që si hijena presin të manipulojnë vjedhjen e radhës”, ka thënë Duma.
Demokratja ka vijuar më tej duke shtuar se “Deri më tani janë tenderuar me 99.1 % të fondit limit, duke dëshmuar se për këtë qeveri dhe mëkëmbësit e tyre në bashki, prioritet nuk është aspak rindërtimi i banesave shpejt dhe me sa më pak kosto, por krejt e kundërta.
99.1 % e fondit limit të akorduar për rindërtimin në Durrës do të thotë se gjithçka është e paracaktuar, nuk ka garë të vërtetë, nuk ka cilësi, nuk ka shpejtësi në ndërtim. Do të thotë edhe shumë muaj të tjerë me qira, pa shtëpi, sepse këta që qeverisin janë një shpurë me mafiozë që po vjedhin qytetarët më të dëmtuar.”