Mërgim Berisha ia ka siguruar fitoren Salzburgut sonte në udhëtim ndaj Lokomotivës së Moskës në xhiron e pestë të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.
Berisha realizoi dy gola për Salzburgun, në minutën e 28-të dhe 41-të, ndërsa klubi austriak fitoi 3:1. Golin tjetër për Salzburgun e shënoi Karim Adeyemi (81’) derisa për Lokomotivën shënoi Anton Miranchuk (79’ penallti).
Berisha luajti tërë ndeshjen, ndërsa në stol ishte Albert Vallqi.
Për Berishën është goli i pestë i shënuar në këtë edicion të Ligës së Kampionëve, karshi një asistimi që e ka. Ndërkohë në Bundesligën e Austrisë ka realizuar pesë gola.
Salzburgu pas pesë xhirove zë vendin e tretë në Grupin A të Championsit me katër pikë, grupin e kryeson Bayerni me 12 pikë nga katër ndeshje, ndërsa Atletico Madridi zë vendin e dytë me pesë pikë nga katër ndeshje. Atletico takohet me Bayernin sonte me fillim nga ora 21:00.
Lokomotiva e Moskës zë vendin e fundit në grup me tri pikë.