Kreu i PD-së, Lulzim Basha në kuadër të 30 vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë ka bërë zotimin e tij publik se pas ardhjes së tij në pushtet do të kufizojë në vetëm dy mandate të postit të kryeministrit.
“Sot marr një zotim të veçantë, që është kufizimi i pushtetit dhe mandatit të kryeministrit. Kufizimi në vetëm dy mandate të postit të kryeministrit, të kreut të ekzekutivit.”, u shpreh Basha.
Sipas kryedemokratit, një politikan nuk jep dot më shumë se sa 8 vite në pushtet.
“Një njeri nuk jep dot më shumë se 8 vjet në pushtet. Pse duhet të kemi pushtetarë të përjetshëm, kur kemi të rinj e të reja shqiptare plot. Dy mandate janë mjaftueshëm për qeverisje, e më pas t’i hapet rruga rinisë. Kryeministri të mos zgjidhet në më shumë se 2 mandate. Bashkë do e largojmë të keqen. Zoti e bekoftë rininë shqiptare.”, pohoi Basha.
Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, lideri demokrat tha se ndryshimi që të gjithë duan dhe presin do të këtë vulën dhe firmën e rinisë shqiptare, ashtu si 30 vite më parë.
“Mjafton që të kujtojmë se bashku se çarë ndodhi 30 vite më parë ë këtë vend. Ne sollëm demokracinë, lirinë e shtypit, të shprehjes së lirë, dhe po luftojmë që ta mbrojmë atë. Po luftojmë kundër përpjekjeve të vazhdueshme për ta mbyllur gojën opozitës. Ia dolëm që të ndryshonim ekonominë, nga një ekonomi e centralizuar, duke e bëre të lirë. Bëmë të mundur lëvizjen pa viza të shqiptarëve. E mbani mend dhe se sa e pamundur dukej në fillim! Shumica dërrmuese se besonin se një ditë do të udhëtonim pa viza në Europë. E di se shumë prej jush sot janë të dëshpëruar dhe mesi po prisni ndryshimin. Ky ndryshim, si 30 vite më parë, do të ketë firmën dhe vulën tuaj. Vulën dhe firmën e rinisë shqiptare.”, tha Basha.
Kreu i PD, në fjalën e tij theksoi se më 25 prill, opozita e bashkuar do ta mundë virusin në qeveri. Basha ndër të tjera shtoi se rinia do të marrë në dorë fatet e vendit.
“Të rinj dhe të reja shqiptarë, Gëzuar 8 Dhjetorin. Rinia shqiptare do marrë në dorë fatet e vendit. Mezi po pres që së shpejti të takohemi, për të mundur virusin më 25 prill, për të kthyer shpresën e çdo të riu dhe të reje shqiptare. Gjej rastin të përshëndes shqiptarët nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj. 30 vjet më parë shembëm diktaturën më të egër në Europë”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati nënvizoi se Shqipëria ka 8 vjet që përjeton errësirë, duke shtuar se kjo situatë duhet e do marrë fund njëherë e përgjithmonë.
“Ka 8 vjet që Shqipëria është kthyer pas. Ka 8 vjet që situata paraqitet shumë e rëndë. Shumë të rinj duan të ikin nga Shqipëria. Shumë e mendojnë si opsionin e vetëm emigracionin. Varfëria, padrejtësia dhe të tjera plagë të shoqërisë duhet që të munden. Kjo qeveri ka frikë nga forca e rinisë shqiptare. Kjo ndodh në kohën, kur ne kemi një rini që po shkëlqen në botë. Mjafton vendosmëria për të bërë ndryshimin e madh. Fatet e Shqipërisë janë në duart e tua”, sqaroi Basha.