Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që shtetasi rus Mikhail Krasnoshchenkov, i cili u arrestua gjatë aksionit në veri, të shpallet person ‘Non Grata’.
Haradinaj, në një postim në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019
Postimi i plotë i Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj:
Sot, kam kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të shpallim shtetasin rus z.Mikhail Krasnoshchenkov si person ‘Non Grata’.
Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019.
I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin.
Vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit! RH