Ministria e Infrastrutkurës dhe Energjisë në Shqipëri njoftoi se këtë të martë u bë hapja e plotë e autostradës Tiranë – Elbasan në të gjithë gjatësinë e saj.
Në njoftimin e bërë nga kjo ministri theksohet se vonesat që erdhën nga problemet teknike u zgjidhën dhe se qytetarët kanë tashmë në funksion një rrugë me standarde europiane.
Historia e rrugës Tiranë-Elbasan, e nisur qysh në kohën e qeverisjes Berisha, është shoqëruar me një epope të gjatë zvarritjesh dhe problematikash ku së pari rrëshqitja në Ibë, së dyti problemet me pagesat e nënkontraktorëve dhe më e fundit që kushtoi jo pak por 4 milionë dollarë rrëshqitja shkëmbore në Mamël që bllokoi njërën anë të rrugës për një kohë të gjatë dhe që u përfundua vetëm pak jave më parë.
Autostrda e cila u projektua me një kosto nën 300 milionë euro nga të cilat 100 milionë euro për tunelin përfundoi me një kosto rreth 425 milionë euro të cilat detyruan qeverinë të merrte financime shtesë pranë insitucioneve financiare ndërkombëtare.
E kthyer në një nga rrugët me historinë më të gjatë të zvarritjes, shiritat e parë të kalimit në të u prenë në vitin 2013 në prag të fushatës. Por nga ajo kohë e deri më sot kalimi në rrugë është devijuar hera herës në pjesë të ndryshme si dhe është kombinuar me kalimin në rrugën e vjetër.
Nga kjo e martë rruga tashmë mund të përshkrohet në gjithë gjatësinë e saj pa devijime dhe sipas projektit të saj fillestar.