Pandemia e koronavirusit e ka çuar numrin e vdekjeve në vend në rekorde historike.
Referuar të dhënave të siguara nga Monitor, gjatë vitit 2020 janë shënuar 6 mijë humbje jete më shumë se viti parardhës.
Shifrat që në vitet e mëparshme fiksoheshin në rreth 20-22 mijë, në vitin e pandemisë ato kanë arritur në 28 mijë vdekje.
Ky është niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë në Shqipëri të paktën që nga viti 1990 kur nisën të raportoheshin të dhënat nga INSTAT.
Në raportin më të fundit të INSTAT, me të dhënat e publikuara deri në fund të tremujorit të tretë, vdekshmëria në vend gjatë kësaj periudhe është rritur duke kulmuar në tremujorin pasardhës.
Kjo ishte dhe periudha më e keqe e pandemisë e cila çoi në mbingarkesë të spitaleve infektive dhe ambulanca që prisnin e kurornin pacientët në oborret e spitaleve me orë të tëra në radhë.
Gjatë vitit që lamë pas u vu re gjithashtu një tendencë rënëse e lindshmërisë ku për herë të parë në historinë e Shqipërisë shtesa natyrore e popullsisë ishte negative.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Gjendjes Civile në vend u regjistruan rreth 27,600 aktlindje, ose thënë ndryshe 429 lindje më pak se sa vdekje.
Shtesa natyrore e popullsisë ka ardhur në rënie të vazhdueshme, duke reflektuar rritjen e moshës mesatare të popullsisë por edhe nivelin e lartë të emigracionit.