Komisioneri i qeverisë italiane për vaksinimin, Domenico Arcuri deklaroi se ishte i shqetësuar nga njoftimi i kompanisë ”Moderna” për uljen me 20% të numrit të vaksinave për Italinë.
“Habia, shqetësimi dhe dekurajimi ynë janë në rritje”, deklaroi Arcuri.
Në një deklaratë, kompania amerikane ”Moderna” tha se për muajin shkurt do të dërgonte në Itali 132 000 nga 166 000 dozat e planifikuara.
Ndërkohë, Komisioni Europian, i cili po koordinon prokurimin e vaksinave për Bashkimin Europian, tha se komiteti drejtues i tij po diskutonte aktualisht problemet e mundshme të furnizimit të ”Moderna”-s.
Prodhuesit farmaceutikë ”AstraZeneca” dhe ”Pfizer/BioNTech” kanë njoftuar gjithashtu ulje të përkohshme të dërgesave të tyre të vaksinave Covid-19 në vendet e BE.
Bashkimi Europian filloi programin e tij të vaksinimit masiv më 27 dhjetor, por zhgënjimi po rritet në Bruksel rreth ritmit të furnizimeve.
Me këtë ritëm ai po mbetet pas Britanisë së Madhe dhe SHBA.