Gjermania dhe Austria i kanë premtuar ndihmë Portugalisë së goditur rëndë nga vala e tretë e koronavirusit.
Austria do të trajtojë pacientët në kujdesin intensiv, të do të shkojnë në këtë vend nga Portugalia, për të ndihmuar në lehtësimin e presionit mbi spitalet portugeze.
Kancelari austriak Sebastian Kurz tha se dhënia e një ndihme të tillë “është një rregull i solidaritetit evropian”.
Gjermania ka në plan të çojë një ekip mjekësor të ushtrisë prej 27 mjekësh dhe specialistësh të tjerë në Portugali, së bashku me shtretërit spitalorë dhe ventilatorët.
Portugalia kërkoi këtë ndihmë sepse ka mungesë të shtretërve të kujdesit intensiv dhe personelit mjekësor.
Vetëm në janar, vdekjet në Portugali si pasojë e COVID-19 arritën në 5.576, sipas të dhënave zyrtare. Kjo është gati gjysma e totalit në vend që nga fillimi i pandemisë.
Portugalia është nën një bllokim të madh, duke përfshirë një ndalim të përgjithshëm të udhëtimit jashtë vendit.
Rritja dramatike e rasteve në shtetin iberik ka ndodhur për shkak të lehtësimit të masave në Krishtlindje dhe nga varianti shumë ngjitës britanik.