Një 31-vjeçare, e cila ka hapur një kompani ndërtimi në vitin 2022, do të ngrejë plot 3 kulla në një nga zonat më të preferuara në Tiranë, në ish-sheshin “Shqiponja”, në afërsi të Unazës së Madhe. Bëhet fjalë për Ariola Hysën, pronare me letra të firmës “He-In Invest”, e cila pa asnjë përvojë në ndërtim apo pa kapital, arriti që të marrë një leje nga qeveria.
Vox News ka siguruar ekskluzivisht dokumente nga Këshilli Kombëtar i Territorit, dokumente noterialë apo edhe kontrata të tjera, që hedhin dritë mbi një tentativë të një tjetër sipërmarrësi për t’u kamufluar nën emrin e 31-vjeçares. Ka dyshime të forta se pas Ariolës, e vitlindjes 1994, qëndron as më shumë e as më pak por Anton Gjinaj, pronar i kompanisë “Alesio 2014”.
Të dy, si Gjinaj ashtu edhe kompania, kanë pasur probleme me ligjin, teksa Antoni ka qenë i dënuar në Spanjë, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme sekuestroi edhe kompaninë e tij të ndërtimit. Dyshimet janë se, me SPAK-un nga pas, Gjinaj themeloi një tjetër firmë për të vijuar aktivitetin e ndërtimeve, ku “pronare” bëri Ariolën.
Vox News vetëm sa ka kryqëzuar dokumente nga KKTU-ja, QKB-ja, bilance tregtare dhe të dhëna të hapura, ku duket mjaft qartë lidhja mes Hysës dhe Gjinajt, ndërkohë që institucionet ligjzbatuese janë të hapura për të faktuar këto të dhëna, nëse bëhet fjalë për pastrim parash, tentativë për t’iu shmangur drejtësisë apo vepra të tjera penale.
Ditët e fundit, pas një kalvari të plotë verifikimesh, KKTU-ja ka zbardhur lejen e ndërtimit për kompaninë “He-IN Invest”. Bëhet fjalë për “miratimin e lejes së ndërtimit për ‘kompleks rezidencial dhe shërbime tregtare me 2, 24, 26 dhe 28 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë” me vendndodhje në Tiranë, ish-sheshi “Shqiponja”.
Vox News ka siguruar këto dokumente, ku shkruhet se zona ka një pozicion strategjik të favorshëm, ku kalon Unaza e Madhe e Tiranës dhe në një distancë prej rreth 3 kilometrash nga qendra e qytetit. “Sipërfaqja e përgjithshme e pronës që do të zhvillohet është 13.879 m². Sipërfaqja e ndërtimit mbi tokë është 74,500 m², ndërsa sipërfaqja e ndërtimit nëntokë arrin në 28,470 m²”, thuhet në dokumente.
Pronarja e kësaj firme duhet të ndërtojë plot 3 kulla, më e larta deri në 28 kate në hyrje të Tiranës. “Kompleksi rezidencial i propozuar përbëhet nga tre kulla shumëkatëshe, respektivisht me nga 24, 26 dhe 28 kate mbi tokë. Objekti është konceptuar si një strukturë e përdorimit të përzier, që integron funksione rezidenciale dhe komerciale. Dy katet e para të secilës kullë janë të lidhura me njëra tjetrën, duke funksionuar si një strukturë unike e dedikuar për funksione shërbimi”, vijon dokumenti.
Në aktin e themelimit kompania që ka arritur të marrë super lejen e mësipërme është themeluar në vitin 2022. “Shoqëria e ka selinë e regjistruar në adresën: Tiranë, Njësia Administrative nr. 11, Rr. Lord Bajron, ndërtesa Nr. 14”, thuhet në dokument.
Ndërkohë, Vox News ka shfletuar dokumente të tjera në QKB, kësaj herë të kompanisë “Alesio 2014”. Rezulton se, kjo kompani me pronar z. Anton Gjinaj, i ka zyrat qendrore në “Tiranë, Njësia Bashkiake Nr. 11, rruga Lord Bajron, banesë private nr. 14”.
Pra, të dyja kanë pasur të njëjtën adresë. A është kjo një indicie që provon se pas 31-vjeçares është pikërisht Anton Gjinaj?! Ky i fundit, sipas faqes zyrtare të Prokurorisë së Posaçme, ka qenë i dënuar me 8 vite burg nga drejtësia spanjolle me akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, teksa u arrestua në Mal të Zi, me kërkesë nga Spanja.
Por, a ka kapacitete njerëzore apo edhe financiare kompania “He-In Invest”?! Vox News ka shfletuar të dhënat e kësaj firme, ku rezulton se kapitali fillestar i saj, në momentin e themelimit ka qenë vetëm 100 lekë. Më pas, ajo ka publikuar në vitin 2025 bilancin e vitit 2024.
Në këtë vit, kjo kompani ka deklaruar një humbje në shumën e 9,939,524 lekë, ose rreth 100 mijë euro. Natyrisht, pas këtij kapitali dhe humbjes në vitin pasardhës, gjithkush mund të japë një opinion, teksa dyshimet janë se kemi të bëjmë me një prestanome të firmës “Alesio 2014”.
Marrë nga VoxNews.al


