Afera e impianteve të plehrave në Shqipëri, PD kërkon dorëheqjen e Edi Ramës

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Pas daljes në dritë të fakteve të reja të publikuara një ditë më parë nga LSI, në lidhje me impiantet e plehrave, të njohur ndryshe si inceneratorët, Partia Demokratike i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme SPAK që të hetojë kokën e aferës qindra milionë euroshe.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu deputeti demokrat Belind Këlliçi kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 7 korrikut.

Deklaratë e Partisë Demokratike, deputeti Belind Këlliçi:

Haxhire Gurakuqi është një shqiptare e moshuar që jeton në azil. Ajo priste që Edi Rama dhe Arben Ahmetaj t’i ndërtonin shtëpinë e shembur nga tërmeti.

Për Mafian e inceneratorëve nuk dinte gjë, sepse nuk i ndiqte lajmet. Deri ditën kur mafia mbërriti edhe në azilin e saj, dhe zonja Gurakuqi u bë vetë lajmi.

Dy prokurorë ‘fake’ shkojnë dhe i marrin firmën për ‘t’i zhbllokuar’ lekët e pensionit.

Letrat e firmosura prej saj janë, në fakt, leja që ata të përdorin llogarinë bankare të së moshuarës dhe të qarkullojnë 30 milionë eurot e inceneratorëve të ‘biznesmenëve fake’ Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja.

‘Fake’ sepse, pas tyre janë Gjiknuri, Ahmetaj, Veliaj dhe Rama.

Partia Demokratike përçmon me neveri mashtrimin e një të moshuare, të braktisur në azil nga inkompetenca e pushtetit, dhe dënon me forcë vjedhjen e radhës në serialin “Mafia e inceneratorëve’.

Ne i bëjmë thirrje SPAK-ut të hetojë kokën e aferës qindra milionë euroshe dhe të mos merret më me bishtat. Deklarata e këtij institucioni, pas skandalit të fundit, se po ndjek paratë, kur hetimet kanë filluar prej 1 viti, nuk është serioze.

Nën dritën e fakteve të reja, skandalit të radhës dhe traditës në hajdutëri të kësaj qeverie, Partia Demokratike kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës.

Partia Demokratike i bën thirrje të gjithëve, të djathtë e të majtë, të ngrihen në mbrojtje të dinjiteti të tyre dhe të Shqipërisë. Duhet menjëherë ndalur marshimi mbi shpinat e shqiptarëve i bandës në pushtet.

Pasi çon 500 mijë shqiptarë në azilet e botës në 9 vjet qeverisje, ordinerët e tij u shkojnë atyre që kanë mbetur, deri në azilet e pleqve, dhe u marrin kacidhet e shpenzimeve funerale.

Ju rikujtojmë shprehjen famëkeqe “Nuk keni parë asgjë, akoma!”.

Pas Haxhire Gurakuqit nuk ka mbetur më asgjë për të parë.

Hiq dorëheqjen e Edi Ramës dhe fundin e qeverisë më të korruptuar në historinë e Europës.

Ndaj,

Të nderuar qytetarë, Bashkohuni me shoqërinë civile dhe Partinë Demokratike më 7 korrik! Për një Shqipëri në rrezik. Për një Shqipëri që kalon nga duart e hajdutëve në të shqiptarëve. /

Share This Article