Detaje të reja kanë dalë në dritë për inceneratorin e Fierit, lidhur me punësimin fiktiv të babait të Alqi Bllakos si “drejtor kantieri” me pagë 6 mijë euro në muaj.
Sipas SPAK, nga sistemi tatimor rezulton se në të njëjtën periudhë, kur ka përfituar 14.9 mln lekë, Edmond Bllako ishte deklaruar si “brumëgatues buke” në Ersekë.
Ndërkohë, nga sistemi TIMS ka rezultuar se në 16.4.2019 Alqi Bllako ka udhëtuar me avion drejt Torinos së bashku me Klodian Zoton. Një ditë më pas kanë udhëtuar sërish bashkë nga Roma në Rinas.
Nga të dhënat bankare të administruara, rezulton se shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier”,shpk, ka bërë pagesa për fatura fiktive në drejtim të shoqërive Pivot 04, në shumën 124,147,090 leke, Sili shpk, në shumën 14,484,931, si dhe në drejtim të shoqërisë J.P.Y shpk në shumën 7,451,050, në vlerën totale prej 146,083,071 (njëqind e dyzet e gjashtë million e tetëdhjetë e tre mijë e shtatëdhjetë e një) lekë, vlerë monetare kaluar më pas nëpërmjet faturave fiktive tek shoqëria S… shpk, që rezulton të jetë vëllai i ish Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.