Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike paralajmëroi për një kërcënim të mundshëm bërthamor, për shkak të rritjes së intensitetit të luftimeve pranë centralit më të madh bërthamor në Evropës, i cili ndodhet në Ukrainë.
Të shtunën forcat ukrainase vazhduan të bëjnë përpara me kundërsulmin e tyre me synimin për të zmbrapsur edhe më tej trupat ruse.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara tha se ekspertët e saj që ndodhen në centralin e Zaporizhias, të pushtuar nga Rusia, njoftuan se kishin dëgjuar shpërthime të shumta gjatë javës së kaluar, një tregues për rritjen e aktivitetit ushtarak në këtë zonë. Por zyrtarët nuk kanë njoftuar për dëmtime në impiant.
Agjencia ka shprehur vazhdimisht shqetësimin se luftimet mund të shkaktojnë një rrjedhje të mundshme rrezatimi nga objekti, i cili është një nga 10 stacionet më të mëdha bërthamore në botë.
Ndërsa forcat ukrainase ushtrojnë trysni për të përparuar edhe më tej, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vuri në dukje në raportin e saj të fundit, se Rusia ka sjellë përforcime për të penguar përparimin e ukrainasve.
“Ka shumë të ngjarë që Rusia të ketë ridislokuar forca nga zona të tjera të vijës së frontit për të zëvendësuar njësitë e demtuara rëndë rreth Robotyne-s”, thuhej në njoftim. “Këto zhvillime ka të ngjarë të kufizojnë aftësinë e Rusisë për të kryer operacione sulmuese përgjatë zonave të tjera të vijës së frontit”, thuhej më tej.
Instituti për Studime mbi Luftën me qendër në Uashington vuri në dukje se ushtria ruse ka bërë ndryshime të dukshme në strukturën e saj të komandës dhe kontrollit për të “mbrojtur infrastrukturën komanduese dhe për të përmirësuar shkëmbimin e informacionit”.
Forcat ruse kanë vazhduar sulmet me artileri në të gjithë Ukrainën. Autoritetet rajonale në rajonin verilindor të Sumy-t që ndodhet në kufi me Rusinë, thanë se si pasojë e sulmeve të fundit nga Moska, katër persona u plagosën, njëri prej të cilëve humbi jetën më vonë në spital.
Kremlini ripohoi të shtunën se Rusia nuk do të zgjasë një marrëveshje historike që i mundësonte Ukrainës eksportin e sigurt të grurit përmes Detit të Zi, derisa Perëndimi të përmbushë plotësisht kërkesat e Moskës.
Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë i kanë hedhur poshtë kërkesat e Kremlinit duke e quajtur një taktikë që Rusia të bëjë përpara me interesat e saj.
Të shtunën, Ministri i Jashtëm japonez Yoshimasa Hayashi mbërriti në Ukrainë për një vizitë zyrtare. Ai vizitoi një kishë në periferi të Kievit, në Bucha, ku kanë ndodhur disa nga mizoritë më të rënda të luftës.
“I jam mirënjohës Japonisë që mbetet partneri ynë kryesor në Azi dhe mbështet Ukrainën”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.