Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka hedhur poshtë mundësinë e inicimit të interpelancës nga ana e shefit të grupit parlamentar të BDI-së, Izet Mexhiti kundër zv.kryeministrit Artan Grubi dhe ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani, shkruan gazeta Lajm.
Gjatë paraqitjes së tij në emisionin Click Plus në TV21, Ahmeti tha se brenda BDI-së gjithmonë janë toleruar zëra kritikë por, sipas tij, nuk ka përçarje në mes të Musa Xhaferit, Izet Mexhitit e Blerim Bexhetit, në njërën anë dhe Artan Grubit, në anën tjetër. Kreu i BDI-së, tha se nuk ka asgjë për tu shqetësuar dhe se askush brenda partisë nuk i ka folur përçarje. Ahmeti tha se BDI-ja është vlerë kombëtare dhe shtëpi e përbashkët e të gjithëve, andaj askush nuk duhet të mendoj që ta dëmtojë atë.
“Zoti Mexhiti nuk e prish shtëpinë e vet, zoti Bexheti nuk e prish shtëpinë e vet, zoti Xhaferi nuk e prish shtëpinë e vet. BDI-ja është një investim i përbashkët, unë nuk kam investuar vetë në Bashkimin Demokratik për Integrim. Por, është investim i të gjithëve. Unë kërkujt nuk ja kam kthyer shpinën dhe asnjë nga të gjithë anëtarët e BDI-së keq nuk ka parë. Të gjithë kanë parë vetëm të mira nga BDI-ja. Prandaj, këtë vlerë kombëtare të gjithë duhet ta ruajmë. Kjo është vlerë kombëtare dhe është investim kombëtarë ku kanë investuar të gjithë. Prandaj asnjëri mos të guxojë që ta prekë këtë investim”, tha Ahmeti.