Pas takimit me aleatët, Basha ka pritur në një takim dhe ambasadoren e ShBA-së në Shqipëri Yuri Kim në selinë e PD-së.
Në takim është dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca. Takimi ka zgjatur për rreth 30 minuta ndërkohë që nuk bëhet ende me dije se për çfarë kanë folur.
Ky takim vjen pas ndryshimeve kushtetuese të cilat u votuan ditën e sotme në Parlament.
Me 106 vota pro dhe 10 kundër kryeministri Edi Rama kaloi në Kuvend me opozitën e re ndryshimet kushtetuese në ditën e fundit të këtij sesioni parlamentar.
PS nuk e pati të vështirë të gjendte votat për ndryshimet kushtetuese nga opozita e re në parlamet edhe pse nuk pati dakordësinë e PD e LSI-se në këshillin politik as të presidentit Ilir Meta, apo dhe thirrjet e ndërkombëtarëve që ndryshimet të ishin konsensuale.
I ashpër ka qenë reagimi i opozitës së bashkuar për ato që i cilësojnë ndryshime të njëanshme. Lulzim Basha pas mbledhjes me aleatët, në një deklaratë për median e konsideroi një akt të paprecedent në 30 vjet, dhe theksoi se asnjë makinacion i Edi Ramës nuk e ndan dot koalicionin e opozitës së bashkuar dhe se as fitoren e tyre para shqiptarëve.
Ambasada amerikane përsëriti dhe njëherë mesazhin e djeshëm ku i kërkoi drejtuesve politikë që të mbajnë fjalën e tyre.
“Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve. Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Ashtu siç vepruan në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, udhëheqësit shqiptarë duhet të tregojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të negociuar marrëveshje që vënë në radhë të parë interesat më të mira të popullit shqiptar.”
Ambasdori i Gjermanisë shpreh keqardhjen dhe nënvizon se reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese./Ora news/