Anulohet debati i dytë presidencial mes Trumpit dhe Bidenit

albnews
By
2 Min Read

Komisioni për Debate Presidenciale konfirmoi të premten se debati mes presidentit të tanishëm amerikan, Donald Trump, dhe rivalit të tij nga Partia Demokratike, Joe Biden, është anuluar.

Vendimi i këtij komisioni erdhi pas një mosmarrëveshjeje mes dy kandidatëve rreth formës së debatit. Komisioni më parë kishte njoftuar se debati i dytë do të zhvillohet në mënyrë virtuale për shkak të infektimit të Trumpit me koronavirusi. Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk e pranoi këtë formë të debatit, ndërsa Bideni e cilësoi si mënyrë më të sigurt.

Sidoqoftë, komisioni tha se nuk do ta kthejë prapa vendimin, duke përmenduar mungesën e kujdesit dhe shqetësimet shëndetësore, sidomos për debatin e mbajtur në sallë, shkruan The Guardian.

“Tash është e qartë se nuk do të ketë debat më 15 tetor dhe Komisioni do ta kthejë vëmendjen te përgatitjet për debatin përfundimtar që është planifikuar për 22 tetor”, thuhet në deklaratën e Komisionit për Debate Presidenciale.

Pavarësisht diagnostikimit me koronavirus, presidenti amerikan njoftoi se do të dalë në publik së shpejti, përfshirë mbajtjen e një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë të shtunën dhe një tubim zgjedhor në Florida të hënën.

Gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë, ai pritet të flasë për sundimin e rendit dhe ligjit. Kësaj radhe, ai do të flasë nga ballkoni i Shtëpisë së Bardhë dhe pritet të jetë më larg të pranishmëve.

Share This Article