Bashkimi Europian ndez dritën e gjelbër për Italinë që të sjellë emigrantë të paligjshëm në qendrën e pritjes në Shqipëri.
Brukseli konfirmon se do të vazhdojë të ndjekë nga afër zbatimin e marrëveshjes mes Tiranës dhe Romës, pas ndryshimeve të bëra sëfundmi përmes një dekreti qeveritar. Zëdhënësi i Unionit për Çështjet e Brendshme, Markus Lammert, tha se sipas informacioneve të BE-së, qendra do të funksionojë bazuar në ligjin kombëtar italian, çka përputhet me ligjin europian, prandaj vlerësohet se nuk ka asnjë pengezë për zbatimin e paktit.
“Jemi në dijeni të zhvillimeve të fundit për këtë dekret dhe për qendrën në Shqipëri. Jemi në kontakt me autoritetet italiane dhe do të vazhdojmë të monitorojmë zbatimin e protokollit. Sipas informacioneve tona, ligji kombëtar Italian do të aplikohet për këtë qendër, siç ka qenë rasti deri më tani sa i përket kërkesave për azil. Në princip, kjo është në përputhje me ligjet e Bashkimit Europian. Do të vazhdojmë që të monitorojmë zbatimin e protokollit dhe udhëzimet e reja, duke qënruar në kontakt me autoritetet italiane. Sa i përket zgjidhjeve inovative, kemi thënë se BE-ja është e gtashme t’i shqyrtojë ato, por gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe respektimin e të drejtave themelore”, tha Markus Lammert, zëdhënës i BE, shkruan A2 CNN.
Nga ana tjetër, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e cilësoi modelin e Shqipërisë një sukses dhe tha se ai po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje. Në një video-mesazh në samitin për Sigurinë Kufitare në Londër, Meloni deklaroi se fillimisht modeli u kritikua, por tani edhe BE-ja po propozon krijimin e qendrave për riatdhesimin e emigrantëve në vende të treta.
Ndërkohë, qendra italiane në Shqipëri po ndryshon funksion dhe po zgjerohet me dekretin e miratuar të premten nga Këshilli i Ministrave në Romë. Megjithatë Italia po pret ende që Gjykata Europiane e Drejtësisë të vendosë për çështjen e ndalimit të emigrantëve dhe indikacionet për vendet e sigurta: një çështje që është në qendër të polemikave dhe tensioneve prej muajsh pas deklaratave të magjistratëve italianë, të cilët kanë kthyer pas çdo emigrant të transferuar për në Gjadër.